Gjykata e Prishtinës e ka liruar nga akuzat kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën për gazin lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.
Kurse lidhur me pikën e dytë të akuzës ndaj Konjufcës ‘Pengimi i personit zyrtar’, gjykata konfirmoi se e njëjta ka arritur parashkrimin absolut që në gusht të vitit 2022.
Sipas aktakuzës së tre shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Në aktakuzë përshkruhet se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.
Lidhur me këtë vepër penale, Konjufca nuk do të ndiqet penalisht e as nuk mund të dënohet pasi që vepra penale e pengimit të personit zyrtar i është vjetërsuar.