“Saga” e dinarit – Opozita në një vijë me ekzekutivin: E pa pranueshme të bëhet pjesë diskutimi një vendim kushtetues

“Saga” e dinarit – Opozita në një vijë me ekzekutivin: E pa pranueshme të bëhet pjesë diskutimi një vendim kushtetues

Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb, shkruan Gazeta Enigma.

Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.

Ekzekutivi kosovar tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Megjithatë, nga 1 shkurti nuk po të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.

Në mbledhjen në OKB, të thirrur nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme, që hyri në fuqi më 1 shkurt, nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.

Presidenti serb tha se me ndalimin e dinarit në Kosovë, pamundësohet funksionimi i institucioneve kyçe për serbët në Kosovë.

Deputeti nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha për Gazetën Enigma se vendimi i BQK-së mbi dinarin është ligjor dhe andaj duhet përkrahur, mirëpo kritikoi kohën dhe mënyrën se si u mor ky vendim.

“Në esencë, vendimet kushtetuese dhe ligjore, ne duhet t’i përkrahim dhe t’i mbështesim. Ajo çka është joparimore dhe jo e drejtë nga kjo qeveri, është koha dhe mënyra si është ngritur problem. Qeveria ka premtuar se çështjet e brendshme do t’i trajtoj në nivel të brendshëm, ndërsa sot, padrejtësisht, nga gabimet e kësaj qeverie dhe këtyre institucioneve, çështja e dinarit po negociohet në arenë ndërkombëtare. Jam krejtësisht i habitur me këtë degradim të skajshëm të politikave qeveritare”, tha Shala.

Shala tha se Qeveria duhet të koordinohej me partnerët ndërkombëtar, për të marrë një vendim të tillë.

“Qeveria ka obligime të harmonizoj çdo veprim tonë në mardhëniet ndërkombëtare, dhe me partnerët që kemi rrugëtuar deri në bërjen e këtij shteti. Vendimi është dashtë të mirret në koordinim me agjendën e partnerëve tanë”, shtoi ai.

Shala theksoi se ardhja deri tek diskutimi mbi Kushtetutën e Kosovës është një e mirë e dëmtuar, dhe ajo assesi nuk duhet të jetë pjesë e një debati.

“Tashmë zgjidhje të mirë rreth kësaj teme nuk ka, pasiqë e mira është dëmtuar në proces e sipër. Kushtetuta është bërë temë e diskutimit në arenën ndërkombëtare. Kushtetuta jonë në asnjë rast, nuk duhet të jetë pjesë e debatit, pasi kështu po shkelet kushtetuta, po shkelen parimet. Qytetarët nuk kanë votuar që të diskutohet Kushtetuta, nuk kanë votuar që të formohet Asociacioni e që tashmë është pranuar de-facto, dhe ka filluar zbatimi i saj paricalisht, duke krijuar improvizime të tilla, të cilat po i shohim sot në arenë e politikën vendore”, tha ai.

Shala tha se ardhja deri tek vendimi është cështje e instencave populiste për konsum të brendshëm politik.

Deputeti nga rradhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se dinari është bërë mollë sherri në dialogun mes dy vendeve, dhe se nuk duhet dialoguar në këtë rast, pasiqë është monedhë ilegale që qarkullon në vend.

“Dinari, është bërë mollë sherri e Dialogut dhe epilogut Kosovë-Serbi. Si vend jemi në pozitë jo të mirë, pasi duhet të përballemi ende me probleme e politika të Serbisë, tē cilat u krijuan për ta sunduar e shkatërruar Kosovën. Dinarin nuk duhet ta dialogojë Qeveria e Kosovës sepse dinari është monedhë ilegale e cila po qarkullon në Kosovë dhe duhet të largohet në rrugë normale institucionale” tha ai.

Ardhja deri tek tematizimi i vendimit të dinarit, Lekaj e cilëson si gabim nga qeveria, dhe thotë se kemi rënë në kurth të Serbisë, e cila e ka bërë kartë të fortë në dialog.

“Realisht, Dinari është dashur të mos funksionalizohet si temë, dhe këtu është bërë gabim nga Qeveria Kurti, sepse e ka nxjerrë si temë duke e bërë të rëndësishme dhe kemi rënë në grackën e Serbisë, e cila tani po e kërkon me çdo kusht. Në vend që pas marrëveshjes finale, çështja të zgjidhjet me të drejtën dhe rregullat e shtetit të Kosovës. Tani Serbia e ka bërë kartë të fortë të dialogut dhe tenton që përmes saj të merrë sa më shumë ndaj Kosovës” tha Lekaj në prononcim për Gazetën Enigma.

“Unë jam që Dinari të mos dialogohet, sepse jemi në të drejtën tonë dhe jam për ta mbrojtur me çdo kusht”, përfundoi ai.

Presion ndërkombëtar mbi vendimin për dinarin serb

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të ambasadorit Hovenier dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë për ta pezulluar vendimin e BQK-së mbi dinarin, “shuplaka” më e fortë erdhi pas deklarimit të ndihmëssekretarit amerikan të ShBA për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

O’Brien tha: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Ai tha se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.

Këto deklarime, erdhën pasi kryeministri Kurti tha se aleanca me partnerët amerikan nuk po prishet.

Deklarata e O’Brien, e nxorri para mediave edhe ambasadorin Hovenier, i cili theksoi se partneriteti mes Kosovës dhe SHBA është në pikëpyetje pas vendimit të fundit të BQK-së, dhe se kërcënimet nga O’Brien duhet të mirren seriozisht.

Si rrjedhojë, një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u bë në Bruksel, më 27 shkurt.

Ftesa është bërë nga i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, e cila pati për diskutim dekretin për heqjen e pagesave të dinarit në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmoi ditë më parë se nga Brukseli ka pasur kërkesë që për çështjen e dinarit të ketë takim, por, ai ka deklaruar se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim, pasi “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.

 Lajçak është takuar me përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës të prirë nga Guvernatori, Ahmet Ismaili, si dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkovic.

Lajçak pas takimit deklaroi se mirëpret përkushtimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së.

I njëjti bëri të ditur se takimi ka qenë një hap i parë i rëndësishëm, megjithatë thotë se shumë çështje politike mbesin ende pa përgjigje, teksa shton se takimet shtesë janë të nevojshme.

Sipas BQK-së, në këtë takim delegacioni i tyre ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësime si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në deklaratën e BQK-së.

Një reagim erdhi edhe nga departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ku u tha se bisedimet në Bruksel për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”. / Gazeta Enigma /

Related Articles