Një burrë i akuzuar për vrasjen e një gruaje ndërsa ishte vendosur në Gjermani si ushtar amerikan gati 46 vjet më parë është arrestuar në SHBA, thanë hetuesit gjermanë.
Burri 66 vjeç, emri i të cilit nuk është bërë i ditur në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë, akuzohet se ka goditur me thikë një grua 35-vjeçare më shumë se 30 herë në banesën e viktimës më 11 qershor 1978, raporton AP.
Në atë kohë, autoritetet nuk ishin në gjendje të gjenin vrasësin. Policia gjermane rihapi hetimin në vitin 2020, duke shqyrtuar një sasi të madhe provash, thanë prokurorët në Shtutgart dhe policia në Ludwigsburg aty pranë.
Një gjurmë gishti i çoi ata te i dyshuari dhe hetimet e mëtejshme, duke përfshirë krahasimin e ADN-së, u kryen në bashkëpunim me autoritetet amerikane, përfshirë FBI-në.
Prokurorët gjermanë kërkuan një urdhër arresti me dyshimin për vrasje.
Burri u arrestua më 13 shkurt me mbështetjen e FBI-së dhe Policisë së Shtetit të Nju Jorkut dhe po mbahet në një burg amerikan. Autoritetet gjermane po kërkojnë ekstradimin e tij.