V. Rr. 30-vjeç, i është nënshtruar sot një operacioni në këmbën e majtë, pasi pretendon se zyrtarët policorë ia kanë shkaktuar lëndimin gjatë arrestimit, ditën e shtunë.
Për këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një ankesë dhe e njëjta është përcjellë për hetime të mëtutjeshme në Departamentin e Hetimeve. Lajmin e ka konfirmuar IPK përmes një përgjigje me shkrim.
“Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me këtë rast ka pranuar një ankesë. E njëjta është përcjellë për hetime të mëtutjeshme në Departamentin e Hetimeve. Veprimet tjera do të ndërmerren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Sipas familjarit të V.Rr., rasti ka ndodhur pas një meçi boksi në sallën e sportit “Shani Nushi” në Gjakovë dhe qytetari i ka kërkuar policëve ta dërgojnë në spital, por sipas tij, policët kanë refuzuar duke i thënë se po gënjen.