Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka uruar mësimdhënësit për nder të 7 marsit, por në të njëjtën kohë ka hedhur edhe kritika ndaj Qeverisë Kurti, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një letre të dërguar për media, ai tha se qeveria meriton kritika pasi siç ka shkruar ai, nuk ka realizuar kërkesën e tyre për kushte më të mira të punës.
“Ata po veprojnë kokë me vete dhe po i ikin dialogut për ta dëgjuar zërin e mësuesit dhe shqetësimet e kërkesat e tij”, thuhet në letrën e tij.
“Punëtorë të arsimit, kolege e kolegë anëtarë të SBASHK-ut Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe është një nga datat e veçanta të kombit tonë sepse na kthen kujtesën te sakrificat sublime të atdhetarët e shumtë që edhe kombi ynë ta mësojë e kultivojë gjuhën, kulturën, historinë e artin kombëtar”, tha Jasharaj.
Tutje ai ka shtuar se “kjo datë sjell emocione të veçanta në Kosovë sepse rrugëtimi i arsimit dhe shkollës shqipe u përball me shumë sulme e furtuna të pushuesit”.
“Një pjesë e lavdishme e arsimit tonë ishin edhe vitet e 90-ta kur punëtorët e arsimit duke bërë sakrifica sublime mbrojtjen arsimin shqip duke mbrojtur dritën kundër errësirës. Bota demokratike u mahnit me këtë gatishmëri e sakrificë të punëtorëve arsimor të Kosovës dhe u qendroi pranë duke u dhënë përkrahje e motiv për të vazhduar për plot 9 vite me radhë në këtë mision të shenjtë”, tha ai.
Tutje ai ka uruar mësuesit duke iu uruar ditën e tyre dhe duke theksuar se gëzojnë një respekt për të gjithë pishtarët e dijes.
“Urime dhe respekt në këtë ditë të madhe të mësuesit dhe shkollës shqipe për të gjithë pishtarëve dijes që nëpër vite e dekada vazhduan misionin e shenjtë të edukimit të brezave”, ka shkruar Jasharaj.
Tutje ai ka drejtuar një pyetje për Kurtin e Muratin.
“Tash kur në vitin 2014 po shënohet kjo datë e madhe e bazuar në realitetin e kohës dhe veprimet ndëshkuese të Qeverisë Kurti shtrohet pyetja e thjeshtë se çfarë do t’u thonë atyre kryeministri Kurti, ministri Murati e ministrja Nagavci?”, deklaroi ai.
“Ata meritojnë kritika sepse nuk realizuan kërkesën tonë për kushte më të mira të punës e për ta zëvendësuar shkumësin e shpuzën me mjete të punës të shekullit 21. Ata u munduan masa ndëshkuese e duke u kërcënuar edhe me ndalje të pagave të shuajnë zërin sindikal. Ata sollën zhgënjim me ligjin e pagave dhe shtuan shumë pakënaqësitë me rritjen ironike të koeficionetit të pagave nga 105 në 110 euro e jo sa ishte kërkesat e arsyeshme e jona që koeficienti të kishte vlerë se paku 130 euro. Ata po prekin në emër të ndryshimeve e plotësimit të ligjeve në të drejtat e fituara duke vështirësuar jetën e punëtorëve të arsimit e veçmas të pensionistëve’, ka theksuar Jasharaj.
“Ata po veprojnë kokë me vete dhe po i ikin dialogut për ta dëgjuar zërin e mësuesit dhe shqetësimet e kërkesat e tij. Kemi edhe shumë kritika, por nuk po i themi që të mos zbehen krejt momentet në aktivitetet festive që SBASHK ka organizuar e po organizon edhe sot nëpër komuna e universitete në shenjë respekti të pishtarëve të dijes dhe ditës së madhe të mësuesit e shkollës shqipe”, ka përfunduar ai. /GAZETA ENIGMA/