Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sot lidhur me debatin e ndodhur në Kuvendin e Kosovës për sa i përket tenderëve njëburimor, të cilët Qeveria Kurti i ka dhënë me shumicë.
Abdixhiku në një video të publikuar në profilin e tij zyrtar, ka sqaruar se çfarë janë tenderët njëburimor dhe ka thënë se të tillë Qeveria Kurti për tri vite i ka dhënë 781 apo përkthyer në euro, plotë 209 milionë euro.
Ai ka thënë se në seancën ku është diskutuar për këtë temë, pushteti u larguar nga salla, dhe sipas Abdixhiku kjo është shenjë se ata po fshehin diçka.
Në video tutje, Abdixhiku ka folur edhe për tenderë konkret, duke përmendur MBP-në, KEK-un e institucione të tjera. Kreu i LDK-së ka thënë se do të krijohet Komisioni Hetimor dhe të gjithë do të mbahen përgjegjës.
“Të enjten e patëm një seancë në Kuvend. E trajtuam një çështje shumë të veçantë, shumë të rëndësishme, dhënien e tenderëve njëburimor. Për ata që nuk e dijnë, tenderët njëburimor janë negociime të drejtpërdrejta të shtetit me biznese. Pra shteti, nuk bën procedurë, nuk bën tender, nuk bën garë, por e thërret një biznes dhe i jep një tender. Të tillë tender janë dhënë në Kosovë për tre vite plot 781 sosh. 781 tender në vlerë prej 209 milionë eurove për tre vite. Në Kuvend pushteti s’e përballoi dot debatin, e lëshoi sallën. Përveç se ishte rast i çuditshëm që pushteti të largohet nga salla ishte shenjë e tendencës për të fshehur diçka. Po ua marr dy shembuj sa për t’i kuptuar më mirë. I pari ka të bëjë me ministrinë e Punëve të Brendshme, janë dhënë plot 15 milionë euro në negociim të drejtpërdrejt për një shërbim të IT-së. Shërbimin e tillë e japin me dhjetëra kompani në Kosovë, rajon e në gjithë Evropën. Por shteti ka zgjedhur një kompani të veçantë, të marr shërbime nga ta dhe t’ua japë drejtpërdrejt 15 milionë euro, pa garë pa konkurencë pa procedurë”, ka thënë Abdixhiku.