Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka bërë së fundi një paralajmërim për Perëndimin, që sipas tij të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Enigma.
Në një ceremoni në të cilën u kujtuan trazirat e marsit të vitit 2004 në Kosovë, Vuçiq foli me tonë kërcënuese në drejtim të Perëndimit, duke kërkuar në njëfarë mënyre që ata të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se në Beograd po e presin momentin për të luftuar.
“Nuk është problem, doni të jeni me ata, nuk do të na keni neve, doni të jeni me ta dhe t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë, por jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të mençur e trima dhe mjaft shumë kemi mësuar dhe shumë përvoja kemi fituar pas gjithë atyre që na keni bërë në 25 vitet e fundit, për ta pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe të luftojmë për rastin tonë”, tha ai.
Kjo deklaratë është cilësuar si kërcënim direkt luftarak për Kosovën.
Analistët thonë se Kosova nuk duhet t’i jap vëmendje deklaratave të presidentit serb
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani, tha se kërcënimet e Vuçiqit janë vetëm fjalë, dhe se nuk shfaqin rrezik, pasi që NATO gjendet në vend dhe vepron nëse është nevoja.
“Sa i përket kërcënimeve të Vuçiqit të cilat tani më nuk shfaqin rrezikun e duhur, por se janë vetëm fjalë goje, qytetarët e Kosovës nuk duhet të ndihen të brengosur, pasiqë aleanca më e suksesshme ushtarake (NATO) është në Kosovë dhe është e gatshme të veprojë nëse është e nevojshme”, tha Shabani.
Tutje, Shabani vlerëson se SHBA-të duhet veçuar vendet të cilat shfaqin se kah janë vendosur ato, në mënyrë që ato vende të Ballkanit Perëndimor të vendosin se çfarë aleanca të kenë.
“Politika e jashtme e SHBA-së duhet ta ketë një ndër pikat kryesore sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe klasifikimin e këtyre vendeve se cilat shfaqin haptazi animin kah Perëndimi apo kah Rusia, në mënyrë që edhe vendet e këtij rajoni të jenë në gjendje të vendosin vetë për marrëveshjet e tyre të sigurisë, për marrëdhëniet dhe aleancat që duan të kenë”, shtoi ai.
“Kërcënimet e tilla vijnë si pasojë e një periudhe kur Ukraina duhet të definojë pozicionimin e saj sa i përket të ardhmes dhe sigurisë së atij vendi, se a do anëtarësohet në NATO apo do jetë pjesë e Rusisë, gjë që Serbia po e shfrytëzon si “kërcënim” edhe në Ballkanin Perëndimor”, vazhdoi tutje Shabani.
Shabani tha se perëndimi duhet të përshpejtojë procedurën e anëtarësimit të Kosovës në NATO, gjë e cila është përkrahur nga perëndimi dhe si rrjedhojë kjo do sillte stabilitet dhe siguri rajonale.
“Diplomacia amerikane duhet në mënyrë intenzive të angazhohet për përshpejtimin e procedurës së anëtarësimit të Kosovës në NATO, pasiqë një synim të tillë të qeverisë kosovare e kanë mbështetur të gjitha vendet perëndimore. Padyshim se kjo do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale. SHBA-ja ka investuar një shumë energji dhe përkushtim për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për të mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës në vazhdimin e tranzicionit” shtoi ai.
Shabani tha se çasja e BE-së kundrejt Kosovës ka qenë jo e favorshme në aspektin e angazhimet për eurointegrim. Sipas tij, kjo çasje duhet ndryshuar në mënyrë që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt dhe ti shpëtoj kërcënimeve dhe konflikteve.
“S’ka dyshim se Kosova qëndron shumë mirë në aspekt vlerash dhe institucionesh me NATO-n, mirëpo një raport i tillë duhet të finalizohet nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-atlantike dhe se qasja e deritanishme e BE-së kryesisht ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, po edhe ndaj Kosovës në veçanti, ka qenë jo aq e favorshme sa i përket angazhimit të eurointegrimeve të këtyre vendeve. Andaj, kjo qasje duhet ndryshuar dhe BE-ja të shfaq më shumë interes për përpjekiet e rajonit që i bën drejt integrimit, në mënyrë që t’u shpëtojnë kërcënimeve, konflikteve dhe qasjeve ruse në Kosovë dhe jo vetëm”, tha Shabani në një prononcim për Gazetën Enigma.
Analisti, Visar Xani, tha për Enigmën se kërcënimi i Vuçiqit është mënyrë e politikë-bërjes së tij që merret me punët e Kosovës në eurointegrime. Ai tha se Kosova nuk duhet të merret me këto deklarata, por të punoj drejt integrimeve euro-atlantike.
“Vuçiqi me deklarata të tilla e ka për qëllim të shantazhoj dhe të bëj presion karshi faktorit ndërkombëtar me qëllim që të merret sa ma shumë me procese të caktuara ndaj Kosovës. Nga ky aspekt ne në Kosovë, nuk duhet të brengosemi shumë. Qëllimi i Kosovës duhet të jetë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, dhe të mos koncentrohet shumë dhe të humb energji se çfarë deklaratash bën Serbia, sepse ne nuk mund të ndryshojmë mentalitetin e Serbisë, por është faktori ndërkombëtar ai që e bën”, tha Xani.
Tutje, Xani tha se Kosova duhet të qëndroj pranë aleancës me perëndimin, në të kundërtën, problemet për Kosovën do të shtohen.
“Ne duhet të jemi pranë faktorit ndërkombëtar, me qëllim që t’i arrijmë rezultatet tona. Nëse ngec bashkëpunimi me ShBA-të dhe BE-në, atëherë i mbetet Kosovës të shoh në të ardhmen se çfarë alternativa mund të gjej. Serbia mund të përfitoj vetëm atëherë kur Kosova nuk ka aleancë me perëndimin. Deri sa Kosova është e fuqishme në këto raporte, do të jetë më e fortë. Nëse ka ndryshime në këtë aspekt, vështirësite për Kosovën do të shtohen” përfundoi ai.
Enigma i ka dërguar një e-mail zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, për t’u deklaruar rreth “kërcënimeve” të Vuçiq, mirëpo, deri në kohën e publikimit të artikullit, nuk ka marrë përgjigje.
Reagimet e krerëve shtetëror dhe ndërkombëtarëve
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i është përgjigjur këtyre deklaratave kërcënuese të presidentit serb.
Osmani tha se deklarata e tij është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta publike që Vuçiqi i ka dhënë duke kërcënuar “se do ta sulmojë Kosovën”.
E para e shtetit tha se Vuçiqi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.
“Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar gjithashtu pas kërcënimeve që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë në drejtim të Kosovës.
Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për sigurinë e Kosovës dhe se as njerëzit në Kosovë s’duhet të mbesin pa gjumë pasi NATO ka një prezencë të fuqishme dhe e gatshme ta bëjë atë që është e nevojshme.
“ShBA-ja ka qëndruar fort për paqen e njerëzve në Kosovë. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës, ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO-ja është e gatshme dhe e përgatitur”.
“Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesin pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme ta bëjë atë që është e nevojshme”, tha Hovenier.
Rreth këtyre deklaratave, komentoi edhe emisari I Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar nga Mali i Zi teksa e lavdëroi kontributin e Podgoricës për paqen, tha se Beogradi s’po punon për këtë.
“Në këtë periudhë kur tri shtete fqinje po na ndihmojnë për ta ruajtur stabilitetin, ka një që nuk po punon për këtë, por po dërgon mesazhe për Kosovën”, tha ai.
“Ndikimi malinj rus në rajon është shumë serioz. Pas pushtimit të Ukrainës, u bë e qartë se sa e rëndësishme është NATO-ja”, tha ndër të tjera, Escobar.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut gjerman, Michael Roth, ia ka kujtuar presidentit serb se çka nënkupton perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai i dha të drejtë Vuçiqit vetëm në atë se Serbia s’mund të hyjë në BE derisa ai e udhëheq.
“Presidenti Vuçiq keqkuptoi diçka. Perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Nuk ka gjë të tillë si “ose Serbia ose Kosova”. Por Vuçiq ka të drejtë, me të në krye nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të hyjë në BE”, ka thënë Roth.
Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e fundit të presidentit serb, Aleksander Vuçiq.
Deputeti gjerman, Butikofer, iu drejtua liderëve të BE-së, Josep Borell, Miroslav Lajçak, Oliver Varhelyi duke thënë se deklarata e presidentit Vuçiq u dëgjua mjaft qartë.
Më tutje ai shtoi se duke mos reaguar ndaj veprimeve të tilla, po e lejojnë Vuçiqin “të mbjellë farën e luftës”.
Ai theksoi se duhet të ndërmerret diçka menjëherë.
“Hej, JosepBorrellF, MiroslavLajcak, OliverVarhelyi, e dëgjuat këtë me zë të lartë dhe qartë. Si mund të vazhdoni të pretendoni se “problemi” është kryeministri Kurti? Ju pretendoni se ndiqni “stabilitetin”, por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës! Von der Leyen, ju duhet të ndryshoni kursin e BE-së! TANI”, ka shkruar Butifoker në “X”.
Drejtori I të ashtuquajturës zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka dhënë një deklaratë në të cilën thotë se Beogradi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk kërcënojnë askënd.
”Beogradi dhe presidenti Aleksandar Vuçiq nuk kërcënojnë askënd, as nuk i tundin armët, por ndryshe nga Prishtina janë shtyllë e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Sipas tij, ”edhe ata shumë më të fortë dhe më të fuqishëm se Albin Kurti nuk mund ta ndalojnë Beogradin që të kujdeset gjithmonë për njerëzit e tij, pavarësisht se ku jetojnë”, derisa thotë të pavërteta se ndaj popullit serb në Kosovë po ushtrohet dhunë.
”Nëse Kurtit i pëlqen të fotografojë uniformat, bazat dhe postblloqet, le të bëjë një ekspozitë me foto të dhunës që ushtron aparati i tij shovinist ndaj popullit serb në Kosovë, le të ndajë me të huajt foto të Azem Kurtajt që gjuan serbët fëmijë ose video të ekstremistëve të Prishtinës që rrahin popullin serb dhe hapin zjarr mbi civilët në postbllokun ilegal në urën e Bistricës, dhe ai gjithashtu mund të shpërndante foto të ekstremistëve shqiptarë që hedhin bomba dhe gjuanin snajperë ndaj serbëve duarzbathur dhe anëtarëve të KFOR-it gjatë masakrës së marsit 2004”, tha Petkoviq. / Gazeta Enigma