Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka takuar sot ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve të Quint-it në Beograd – ShBA, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania, si dhe me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.
Sipas njoftimit për media të kësaj zyre, ai i njohu ata “me situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë”, me referencë të veçantë për raundin e fundit të dialogut në Bruksel.
Petkoviq i njoftoi bashkëbiseduesit në detaje për takimin që u mbajt në Bruksel më 25 mars në nivel të kryenegociatorëve, në të cilin ai tha se Kosova “nuk tregoi as vullnetin më të vogël për të gjetur një zgjidhje kompromisi” lidhur me çështjen e dinarit, “për dallim nga Beogradi, i cili erdhi me propozime konkrete dhe të qëndrueshme”.
Drejtori i Zyrës për Kosovë ka theksuar se “Prishtina dhe Kurti po bëjnë gjithçka për të dëbuar serbët nga Kosova”.
Petkoviqi, sipas njoftimit për media, i njoftoi bashkëbiseduesit “posaçërisht për pengesa të shumta dhe kushte të pamundura, të cilat mund të shihen veçanërisht në shembullin e procedurave të reja, kur është fjala për referendumin e ardhshëm për shkarkimin e kryetarëve të rremë në katër komuna serbe në veri të Kosovës”.