Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar sot me drejtorin në largim të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s që ndryshe njihet si NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein dhe drejtorin e ardhshëm, gjeneral brigade Christian Nawrat, bashkë me Shefen e sektorit të Operacioneve Aktuale nga Selia e NATO-s, Ariella Viehe.
Osmani në këtë takim ka ritheksuar përkushtimin për maksimizimin e mundësive të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe NATO-s për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, krahas synimit për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike.
“Presidentja Osmani në këtë takim ritheksoi përkushtimin për maksimizimin e mundësive të bashkëpunimit Kosovë-NATO për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të FSK-së me standardet më të larta të NATO-s, të gatshme dhe të ndërveprueshme me forcat aleate dhe partnere të NATO-s në misione të përbashkëta, krahas synimit tonë strategjik shtetëror drejtë anëtarësimit të plotë në NATO”.
“Në takim u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë në vend, ku Presidentja Osmani ndër të tjera theksoi se, NATO dhe KFOR-i kanë besueshmëri të lartë nga qytetarët e Kosovës në misionin për paqe dhe siguri në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
E para e shtetit e ka falënderuar për bashkëpunimin njëvjeçar gjeneral Hammerstein dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralit Nawart, duke thënë se beson që në mandatin e tij, niveli i bashkëpunimit do të vazhdojë.