Xhudisti kosovar, Akil Gjakova, është deklaruar për herë të parë pas raportimeve për dyshimet që u ngritën, pas pretendimeve të bashkëshortes së tij. Raportimet pasuan me një njoftim të Prokurorisë, për sigurimin e prezencës së tij, ndërsa tashmë ka dhënë një intervistë.
Gjakova ka deklaruar fillimisht se nuk i shmanget drejtësisë, por nuk ndodhet për momentin në Kosovë dhe posa të kthehet është i gatshëm të paraqitet te organet e rendit për t’u zbardhur rasti.
Ai tha se për rastin është njoftuar nga mediat dhe se nuk ka informacione për përmbajtjen e urdhrit të lëshuar, pasi nuk ka kryer asnjë krim ndaj gruas së tij.
“Sapo e kuptova nga mediat që policia ka urdhër për të më shoqëruar në stacion si rezultat i një denoncimi që nuk e di as arsyen, e as përmbajtjen, por e di që unë s’kam kryer asnjë krim e aq më pak ndaj bashkëshortes sime.
Gjithsesi, meqë kam qëlluar jashtë Kosovës dhe për momentin e kam të pamundur të kthehem, siguroj secilin se nuk i shmangem drejtësisë, nuk jam person i dhunshëm e nuk kam shkaktuar dhunë, nuk kam asnjë lidhje me lëndimet e publikuara në fotot që qarkullojnë në media dhe kjo do të provohet së shpejti“, tha ai për Gazetën Sinjali.
Xhudisti Gjakova u shpreh se padrejtësisht është bërë pjesë e kësaj situate, por garantoi se e vërteta do të provohet së shpejti.
“Me t’u kthyer në Kosovë unë do të paraqitem në polici dhe do t’i kontribuoj ndriçimit të plotë të fakteve që ata apo kushdo institucion ka interesim”.
“Pavarësisht të gjitha rrethanave dhe zhvillimeve që pa faj e padrejtësisht u bëra pjesë e tyrë, për mua familja mbetet e shenjtë, fëmija im është pasuria më e çmuar që unë kam dhe do përmbahem nga komentimi i jetës private në publik“, tha tutje ai.
Në fund, Gjakova deklaroi se do ta mbrojë familjen e tij, ashtu siç ka bërë në jeten profesionale – duke bërë krenar shtetin.
“I garantoj miqtë dhe te gjithë adhuruesit e mi dhe të sportit në veçanti, se unë jam po i njëjti person që e kam bërë krenar shteti dhe secilin dashamirës të xhudos dhe ashtu siç kam mbrojtur ngjyrat e flamurit, ashtu do mbroj edhe familjen e dinjitetin tonë.
Kërkoj mirëkuptimin tuaj sepse e vërteta nuk është kjo qe keni lexuar, por as nuk jam i gatshëm që diskutimin për çështje familjare ta barte në rrjete sociale”.