Të enjten, Sport Club “Gjilani” ka njoftuar zyrtarisht se fazën përgatitore për edicionin e ri do ta nis më datë 25 Qershor, raporton Gazeta “Enigma”.
Në njoftim, ky klub ka theksuar se “Skuadra do të paraqitet në stadiumin ndihmës me bari sintetik me fillim nga ora 17:00. Seanca e parë stërvitore do të jetë e hapur për mediat dhe publikun”.
Gjithashtu, SC Gjilani bën të ditur se ka mbyllur bashkëpunimin me futbollistët: Shkëlzen Ruçi, Ardin Dallku, Drin Govori, Ivan Fustar, Qëndrim Dautaj, Ardit Hila, Arbër Çyrbja, Tomislav Busiç dhe Darko Nikaç.
Në skuadër janë afruar futbollistët: Yll Hoxha, Albert Dabiqaj, Elton Cale dhe Agustin Torassa, ndërkohë nga huazimi janë rikthyer Petrit Terziu, Albin Halimi, Qëndrim Ismajli dhe Muhamed Dubova. Klubi po punon në afrimin e futbollistëve të rinj sipas kërkesave të stafit teknik dhe konfirmon që afati kalimtar mbetet i hapur edhe më tej. Po ashtu, Klubi ka emëruar Rafet Prekazin në pozitën e Drejtorit Sportiv, ndërkohë që Sallah Sherifi ka kaluar në pozitën e Drejtorit Teknik.
Departamentin sportiv të klubit do ta përfaqësoj Drilon Sylejmani, i cili është emëruar në pozitën e Menaxherit të Përgjithshëm dhe afrimi i tij pritet të jetë një ndihmesë e madhe për ekipin në aspektin menaxherial.
Ndryshimet e reja priten të prezantohen para ekipit në fillimin e fazës përgatitore/Gazeta “Enigma“