Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, është i bindur se vendi i tij kurrë nuk do t’i bashkohet Perëndimit për t’i vënë sanksione Rusisë.
Daçiq e ka quajtur Rusinë vend mik dhe garanci siç ka thënë ai për “mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit në Kosovë”.
Ai, në konferencën e sotme “Rusia në Ballkan” të mbajtur në Beograd, ka thënë se përkrahja që Rusia dhe Kina i japin Serbisë, i mundësojnë asaj t’u bëjë ballë, sipas tij, presioneve të politikës së jashtme.
Daçiq ka thënë se edhe BE-ja është një prej prioriteteve të politikës së jashtme të Serbisë.
“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë të rëndësisë së veçantë. Ato janë në pikën më të lartë që e mbajnë në mend gjeneratat tona”, ka thënë kryekuvendari i Serbisë, përcjell B92.
Në fakt, Serbia ka refuzuar tash e sa kohë t’i bashkohet Perëndimit, aty ku synon të bëhet pjesë, për sanksione ndaj Rusisë.
Së fundi, Serbia iu bashkua BE-së vetëm për sanksione ndaj Bjellorusisë, ndonëse disa javë më parë, nga ky vend kishte marrë katër avionë luftarakë donacion.