Shteti serb po i mban të bllokuar dhjetëra autobusë e vetura me targa të Kosovës në të dy anët e kufirit me Kroacinë.
Në lidhje me gjendjen në kufirin Kroaci – Serbi dhe Serbi – Kroaci ka folur njëri nga shoferët e autobusëve të bllokuar, Euron Llugaliu, i cili tha se në bazë të informacioneve që kanë, arsyeja e bllokadës është votimi në Asamblenë Parlamentare për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Llugaliu tha se në pikën kufitare Serbi – Kroaci janë afro 15 autobusë, ndërsa duke u kthyer për në Kosovë janë afro 30 sosh
“Jemi në pikën kufitare Serbi – Kroaci, jemi prej orës 23:00 këtu duke pritur për të hyrë në Kroaci. Destinacioni është për në Gjermani. Arsyeja e ndaljes është që çdo autobus i Kosovës dhe çdo veturë po ndalohet prej policisë së Serbisë. Ndalesat janë në të dy anët. Për momentin në kufi jemi afër 2 mijë persona”.
“Arsyeja është që mbrëmë që u votua për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sipas informacioneve që kemi ne është kjo arsyeja. Në çdo autobus po thonë policët që ka persona të dyshimtë. Po i marrin nga 2-3 persona, po i dërgojnë në stacion, po i pyesin se nga dhe prej ku po shkojnë”, tha ai në Klan Kosova.
Tutje, Llugaliu tha se policia serbe po vijnë me nga një listë me emra se në kë prej udhëtarëve po dyshojnë dhe po i marrin në pyetje.
“Këta po vijnë me një fletë se në kë po dyshojnë. Po i marrin në pyetje se prej nga po vijnë, ku po shkojnë dhe a kanë viza. Një person ka ardhur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, shkoi tek policia për t’u marrë vesh me ta, por s’kemi asnjë informacion”, tha ai.
Jemi afro 15 autobusë duke shkuar për në zonën Schengen, ndërsa duke u kthyer janë diku 25 apo 30 autobusë. Ndalesat janë në të dy anët. Për momentin në kufi jemi afër 2 mijë persona.