Shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka deklaruar se ky mision po e monitoron situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat veriore ku po zhvillohet votimi për largimin ose jo të kryetarëve aktualë.
Barbano ka njoftuar se monitorimi i EULEX-it po bëhet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
“Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat ku po zhvillohet votimi për largimin e kryetarëve”, ka shkruar ai në platformën X.
Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan – po votojnë sot nëse duan t’i shkarkojnë kryetarët aktualë komunalë.
Kryetarët shqiptarë të komunave në veri i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.
Dalja deri në ora 11:00 ka qenë shumë e ulët.