Tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë – Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq – iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Të tre gjenden në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj”, i ka thënë Kohës zëdhënësja e Themelores në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Që të tre janë të ngarkuar për veprat penale: “Vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Kryerjen e veprave terroriste”.
Mbështetur në kërkesën fillestare të Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, ata dyshohen se bashkë me një grup personash, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur e me dhjetëra vetura të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake, kanë hyrë ilegalisht në Kosovë.
Sipas kërkesës, ata e bllokuan 24 shtator rrugën në Banjskë me dy kamionë, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë, e pastaj i sulmuan ata me granata dhe me armë, me ç’rast në urën afër Manastirit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.
Pas sulmit të 24 shtatorit grupi terrorist në krye me Milan Radoiçiqin, përveç mjeteve të ndryshme, pati lënë pas edhe një sasi të konsiderueshme të armatimit. Institucionet e Kosovës vlerësuan se arsenali kap vlerën prej 5 milionë eurosh.