Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bën të ditur se do të fillojë fushatë për edukimin dhe informimin e votuesve të rinj për procesin zgjedhor.
Në njoftim thuhet se ky projekt do të mbështetët vullnetarisht nga Këshilli Rinor i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ligjërues dhe trajnerë me eksperiencë në qendrat regjionale.
“‘Zëri yt, vota jote!’, është slogani shoqërues i kësaj fushate që do të fillojë më 7 maj dhe do të përfundojë më 31 maj 2024 dhe që ka për qëllim edukimin dhe informimin e të rinjve të cilët mund të jenë votues për herë të parë në procesin e ardhshëm zgjedhor”.
“E drejta dhe rëndësia e votës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur përfaqësuesit, procesi dhe sistemi zgjedhor në Kosovë, informimi për qendrën e votimit dhe mundësinë për ndërrimin e saj në çdo kohë, janë vetëm disa nga temat kryesore për të cilat do të informohen të rinjtë nëpër të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjatë kësaj periudhe gati njëmujore, KQZ do të organizojë ligjërata, diskutime, simulim të procesit të votimit, shpërndarje të materialeve informuese dhe sipas planifikimeve mund të përfitojnë rreth 23,000 të rinj.