Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot në Kuvendin e Kosovës ngriti lartë figurën e komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodrës, raporton Gazeta Enigma.
Në fjalën e rastit presidentes Vjosa Osmani, tha se heroi Kodra ishte “dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari”.
“Bashkë me të jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zhvilluan trajnime në Shqipëri, për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun”, tha Osmani.
Ajo theksoi se sulmet e regjimit gjenocidal të Serbisë mbi fshatrat e Drenicës, kishin për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.
“Përballë regjimit kriminal të Serbisë Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësi dhe dinjitet shtetëror”, tha ajo.
Sot Kuvendi i Kosovës po mban seancën solemne në nderim të komandantin të UÇK-së Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorë e martirë që ranë në Drenicë për lirinë e Kosovës më 30 prill 1999-të. / Gazeta Enigma.