Kurti bën homazhe në Samadran të Istogut: Gjaku i tyre nuk shlyhet kurrë

Kurti bën homazhe në Samadran të Istogut: Gjaku i tyre nuk shlyhet kurrë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te lapidari i fshatit Saradran të Istogut, në 25-vjetorin e masakrës, si dhe vendosi lule të freskëta te lapidari i dëshmorëve Demush Mavraj, Ibish Mavraj dhe Bekim Mavraj.

Teksa nderoi të gjithë dëshmorët e martirët të rënë për lirinë e Kosovës, Kurti foli për masakrën e para 25 vjetëve kur forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe i kishin ndarë 18 burra, 16 shqiptarë dhe dy egjiptianë dhe i kishin pushkatuar ata.

“Kemi dëshmitarë të gjallë. Dëshmitari i gjallë është Naim Elshani, i cili edhe e ka identifikuar njërin prej atyre, mbi 30 ushtarëve, policëve e paramilitarëve, që kanë vrarë e ekzekutuar, me inicialet E.B, por do të thotë që vetëm një është në arrest prej mbi 30 sosh’’, u shpreh ai.

Kjo do të thotë se ka nisur drejtësia, por është shumë larg që ta mbyllë plagën duke i vendosur prapa grilave të gjithë ata, të cilët dhanë urdhër dhe ekzekutuan popullsinë civile e të paarmatosur.

Kurti tha se gjaku i atyre të cilët ranë në rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës për liri, nuk shlyhet kurrë e emri i tyre s’harrohet kurrë.

“Është pjesë e historisë moderne të Kosovës, por gjithashtu është edhe vendi prej nga ushqehet shteti që kemi e liria që e gëzojmë’’, theksoi kryeministri Albin Kurti.

Related Articles