Kryeministri Albin Kurti i ka përkujtuar me homazhe të vrarët në Masakrën e Burgut të Dubravës nga forcat serbe në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje.
116 të burgosur ishin vrarë e një ishte zhdukur nga 980 të burgosur sa kishin qenë, teksa 185 prej tyre qenë plagosur.
“Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin këtu në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i të vërtetës të Kosovës. E kjo e vërtetë në vetvete është aktakuzë para drejtësisë dhe historisë, ndaj shtetit të Serbisë, për përgjegjësitë që ka për të kaluarën e saj kriminale në Kosovë. Të 116 të vrarët që u janë skalitur emrat këtu në këtë memorial, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.
“I zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur. 185 të burgosur të plagosur nga 771 të mbijetuar gjithsej, janë e vërteta mes njerëzish të gjallë që ishin dëshmitarë të masakrës së Dubravës, e vërteta që ende flet dhe dëshmon, sikurse këtu sot”.
“Sot, teksa e përkujtojmë masakrën e Dubravës në 25 vjetorin e saj, flas para jush si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si njëri prej jush”.
“Jemi mijëra të burgosur politikë e të marrë peng si rob lufte nga Serbia e Millosheviqit, bashkëpunëtorët pasardhës dhe trashëgimtarët politikë të së cilës, në Beograd i vazhdojnë politikat antishqiptare dhe anti-Kosovë, kundër fqinjësisë së mirë dhe paqes në rajon”.