Bayer Leverkusen e ka mbyllur me trofe një sezon fantastik. Ekipi gjerman e ka fituar edhe trofeun e dytë këtë edicion.
“Farmaceutikët” triumfuan në finale të Kupës së Gjermanisë minimalisht 0:1 ndaj ekipit nga kategoria e dytë, Kaiserslautern.
Dhe, ishte Granit Xhaka, protagonisti kryesor i kësaj finaleje.
Futbollisti me prejardhje nga Kosova shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 16-të.
Ishte një goditje e fuqishme nga distanca e cila u ndal në rrjetë.
Paraqitja e mirë e Xhakës, ka bërë që ai të fitojë çmimin “Lojtari i ndeshjes” pasi shënoi golin e fitores.
31-vjeçari u bashkua me Leverkusenin në verën e kaluar, ku ishte futbollisti kyq në skuadrën e Xavi Alonsos, duke kontribuar me katër gola dhe dy asistime në të gjitha garat.