Gjykata Supreme e ka aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit Valon Ibërdemaj, avokatit Besnik Berisha, duke e ricilësuar veprën penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje” dhe duke e dënuar Ibërdemajn me dënim unik prej 22 vjet burgim.
Me këtë, Supremja ka ndryshuar aktgjykimin e Themelores dhe atë të Apelit, me të cilat vendime Ibërdemaj ishte dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“…ndryshohet vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë dhe vendimit për dënimin, ashtu që Gjykata e Supreme e Kosovës gjen se, në veprimet e të dënuarit V. I. të përshkruara nën pikën I të dispozitivit të aktgjykimit të shkallës së parë formohen elementet e veprës penale vrasje, parashikuar me nenin 178 të KPRK, dhe për këtë vepër e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 18 viteve…”, thuhet në vendimin e Supremes.
Kurse, për veprën penale “Rrëmbimi” dhe për armëmbajtje pa leje”, shkalla e tretë ka vërtetuar dënimin e shqiptuar ndaj Ibërdemajt. Andaj, për të tri veprat penale, ndaj tij Supremja ka shpallur dënim unik prej 22 viteve burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 4 shtatorit 2019.
Fillimisht, Themelorja më 18 mars 2022 Iberdemjan e kishte dënuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” me 21 vite, për “Rrëmbim” me 3 vite burgim dhe për “Armëmbajtje pa leje” me 1 vit e 6 muaj, duke i shqiptuar kështu dënim unik prej 25 vitesh burg.
Këtë vendim të Themelores, në tërësi e kishte aprovuar Gjykata e Apelit.
Kundër aktgjykimit të Themelores dhe atij të Apelit, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte ushtruar mbrojtësi i të dënuarit, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale.
Berisha kishte propozuar që të aprovohet kërkesa si e bazuar, kurse aktgjykimet e kundërshtuara sa i përket veprës penale “Vrasje e rëndë” të anulohen dhe lënda të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Ndaj kërkesës së mbrojtësit, është përgjigjur Prokurori i Shtetit, me parashtresën e 18 shtatorit 2023, me propozim që kërkesa të refuzohet si e pabazuar.
Kurse, shkalla e tretë gjeti se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është pjesërisht e bazuar.
Supremja gjen se aktgjykimi i shkallës së parë i cili është vërtetuar edhe nga shkalla e dytë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara në kërkesë. Po ashtu, vlerëson se të pabazuara janë edhe pretendimet se aktgjykimet e dy shkallëve më të ulëta mbështeten në prova të papranueshme, duke iu referuar raportit të këqyrjes së vendit të ngjarjes
Në vendimin e Supremes, thuhet se Themelorja dhe Apeli kanë bërë vlerësim të gabuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të “Vrasjes së rëndë” dhe caktimit të lartësisë së dënimit për këtë vepër.