Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vlerëson se edhe pse nuk mendohet se lufta do të nisë nesër, sërish indikacionet politike të bëjnë të mendosh se gjërat do të arrijnë në atë pikë.
Maqedonci e cilësoi si shqetësues faktin se politikisht Serbia vazhdon të ketë një qasje agresive ndaj Kosovës, ndërsa ushtarakisht ajo po rrit kapacitetet, gjë që sipas tij është shqetësuese për të gjithë rajonin.
“Nuk është se lufta do të fillojë nesër. Por indikacionet politike nuk japin zgjidhje tjetër nëse vazhdohet me këto formate politike”.
“Mandati i KFOR-it është ruajtja e kufirit, por krahas kësaj ne po zhvillojmë ushtrinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet dhe me të gjitha trajnimet e nevojshme dhe po përpiqemi për të qenë të gatshëm gjithmonë për të mbrojtur territorin e vendit tonë, pa cenuar territorin e asnjë vendi përreth dhe këtë do e bëjmë me çdo mjet e çdo kusht nëse paraqitet nevoja”.
“Synim duhet të jetë paqja, stabiliteti dhe integrimi në NATO. Shqetësues mbetet fakti që Serbia politikisht ka qasje hegjemoniste në raport me republikën e Kosovës dhe ushtarakisht të rrisë kapacitetin e saj. Kjo krijon pasiguri jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin”, tha Maqedonci.
“3 nga 4 brigadat serbe pranë kufirit me Kosovën”, Maqedonci: Ka kërcënime
Ministri Ejup Maqedonci, është shprehur se Kosova ka kërcënime të vazhdueshme nga ana e Serbisë.
Komentet Maqedonci i bëri përmes një lidhjeje për Euronews Albania, ku tha se 3 nga 4 brigadat serbe janë shumë pranë kufirit me Kosovën.
Ai tha gjithashtu se janë 48 baza të Serbisë që ndodhen shumë pranë kufirit me Kosovën dhe përbëjnë kërcënim jo vetëm për vendin, por edhe për paqen dhe sigurinë në rajon.
“Për disa vite kemi një militarizim të Serbisë, si në aspektin e furnizimit me sisteme të armatimit, në tentativën për të rritur numrin e personelit ushtarak, edhe në plotësimin e njësive të saj. Për disa vite ne jemi dëshmitarë që Serbia mban tre nga katër brigadat e saj në jug të territorit të saj, jo shumë larg kufirit me Kosovën”.
“Gjithashtu mban 48 baza ushtarake, 20 prej tyre të xhandarmërisë dhe 28 ushtarake, me distancë 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare me Republikën e Kosovës. Këto normalisht paraqesin kërcënim, janë një vegël presioni ndaj Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit në rajon”, tha Maqedonci.