Këtë të hënë dy persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti mes dy automjeteve që ka ndodhur në rrugën Dragash-Zhur, tek vendi i quajtur “Laku i keq”, raporton Gazeta “Enigma”.
Viktimat janë një grua 42-vjeçare dhe një fëmijë i moshës trevjeçare (nënë e bijë).
Në lidhje me rastin Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së komandantit të trafikut rajonal në Prizren, Arben Elshani, i cili ka deklaruar se aksidenti ka ardhur për shkak se nuk është përshtatur shpejtësia e lëvizjes me rrezën e kthesës ku edhe ka ndodhur rasti.
“Deri tek aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur vozitësi mjetit tërheqës ose kokës tërheqëse ka pasur një gjysmë-rimorkio edhe nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me rrezën e kthesës duke kaluar në pjesën e shiritit të kundërt, me të cilin lëvizte mjeti me targa civile, ku ishin shoferi dhe dy pasagjerët e tjerë”, tha Elshani.
Sipas burimeve të KlanKosovës gruaja e cila vdiq bashkë me të bijën në aksident, ka lënë pas vetes edhe dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.