Kryeministri Albin Kurti ka thënë serbët në veri “po çlirohen” nga grupet kriminale dhe se “veriu kurrë nuk ka qenë më i sigurt dhe kriminelët kurrë nuk kanë qenë më të rrezikuar”.
“Paniku i tyre përcjellë edhe rrezik për qytetarët dhe forcat e sigurisë. Ata janë të interesuar për destabilizim dhe konflikte të reja. Veselinoviq, Radoiçiq, të gjithë këta i përkasin strukturave paramilitare në Serbi, të cilët kanë prona të mëdha, pasuri marramendëse, të cilët organizojnë elementët kriminale për ta destabilizuar Kosovën”, tha Kurti në A2 CNN.
I pari i Qeverisë së Kosovës bëri edhe një krahasim mes Serbisë dhe Rusisë, duke krahasuar Prigozhinin me Radoiçiqin.
“Në dallim nga vitet 90 kur ka pasur një nacionalizëm të masave si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorëve. Nëse do të dërgoje në atë kohë një maune me kallashnikovë në cilindo fshat në Boshnjë, Kroaci apo edhe në Kosovë, të gjithë do ta merrnin një armë. Tashmë nuk është më ky rasti. Në Kosovë, nëse dikush provon t’i japë dikujt armatim lajmërohet në polici. Prandaj çfarë po bëjnë qendrat hegjemonike të Beogradit? Po dëshirojnë të punojnë me struktura kriminale në mungesë të mbështetjes popullore. Serbia në Ballkan sillet si një Rusi e vogël dhe Rusia e vogël e ka një Putin të vogël, i cili është Aleksandar Vuçiq, por e ka edhe Prigozhinin e vogël, i cili është Milan Radoiçiq. Në dallim nga Prigozhini, ky i Serbisë është i lirë dhe mbrohet nga pushteti dhe merr pjesë në fushatë zgjedhore për presidentin e Serbisë”, deklaroi Kurti.
“Unë besoj se drejtësia mund të vonojë, por do t’i kapë këta. Policia dhe inteligjenca te ne po bëjnë punë të shkëlqyer, nganjëherë edhe gjyqësori me prokurorinë, por këto dy të fundit do të mund të bënin shumë më mirë dhe shumë më tepër”, shtoi ai.