Jeffrey Hovenier, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, ka thënë se nuk mbështesin deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”, e cila u miratua në një takim mes Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republika Sërpskës, ku ndër të tjera bëhet thirrje që Kosovës t’i referohet si “Kosova dhe Metohija”.
Hovenier theksoi se ShBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe do të qëndrojë prapa kësaj.
“Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret një gjuhë që thuhet dhe flitet se Kosova është pjesë integrale e Serbisë”.
Tutje ai ka shtuar se ky nuk është qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“E kuptoj që ky është qëndrim apo pikëpamje, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, ky nuk është qëndrim i ShBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, pohoi Hovenier.
Këto deklarime Hovenier i ka bërë në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” të mbajtur në Klan Arena. /Gazeta Enigma