“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari do të mbetet kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë të re”, kështu u shpreh kryeparlamenti Glauk Konjufca, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Konjufca u shpreh se 12 qershorin do ta festojmë përherë si ngadhënim mbi të keqen e si ditë të fitores së drejtësisë mbi padrejtësisë, raporton Gazeta Enigma.
Tutje, ai u shpreh se lufta e UÇK-së në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin do të mbetet kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë të re.
“Kur e kremtojmë 12 Qershorin, ditën e Çlirimit të Kosovës, e kemi domosdoshmëri etike që të reflektojmë mbi historinë, se ajo për popullin tonë ka qenë vërtetë e vështirë. Prandaj, ta kujtojmë të shkuarën, e të mos e harrojmë të vërtetën, nuk do të thotë të mos e duam paqen dhe pajtimin, por për ne gjithmonë e shohim pajtimin vetëm si rezultat të drejtësisë, ne kujtojmë dhe do të kujtojmë gjithmonë sepse duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëritet kurrë më”.
“Një popull që mbijetoi, rezistoi e luftoi si dëshmi e së drejtës për të qenë i lirë në tokën e vet shekullore, nuk kishte se si të arrinte ndihmën nga aleanca më e fuqishme demokratike, NATO. Intervenimi i NATO-s në Kosovë duke bombarduar Jugosllavinë e Millosheviqit, përveç se intervenim humanitar për ta shpëtuar një popull nga zhdukja, ishte përmbyllje e triumfit të lirisë, e fitores së demokracisë. Mirënjohja do të jetë e përjetshme”, ka deklaruar ai. / Gazeta Enigma.