Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim me të cilin ka rrëzuar disa nene të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili u dërgua për shqyrtim nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.
Kushtetuesja ka konstatuar se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij Ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] “në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës]”.
“Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë (ii) njëzëri, që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; (iii) me shtatë (7) vota për dhe dy (2) vota kundër, që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtin të pavlefshëm; (iv) njëzëri, që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; dhe (v) njëzëri, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të shpallë që Ligji nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar.”