Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Prishtina” vazhdon të përballet me borxhet e konsumatorëve ndaj kësaj kompanie, shkruan Gazeta “Enigma”.
Këtë e ka bërë të ditur menaxheri në kabinetin e kryeshefit në KRU “Prishtina”, Gazmend Behluli në një përgjigje për “Enigmën”.
Tutje nga kjo kompani kanë bërë me dije se janë në aksion të vazhdueshëm në bashkëpunim me ekipe të shkyçjes dhe me inspektorë, ku në fokus janë konsumatorët që kanë borxhe më të mëdha.
Borxhet e konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina” janë rreth 45 milion euro
“Borxhet e konsumatorëve ndaj KRU Prishtina janë rreth 45 milion, ku vetëm në amvisëri janë 37.5 milion dhe biznese 7.1 milion”, deklaroi Behluli.
Tutje ai ka shtuar se “aksionet për shkyçje janë në vazhdimësi në të gjitha zonat e shërbimit dhe nuk do të ndalën, deri sa konsumatorët ti kryejnë të gjitha obligimet ndaj KRU “Prishtina”.
“Po ashtu i njoftojmë të gjithë konsumatorët të cilët bëjnë lidhje ilegale në rrjetin e KRU Prishtina, ata do të shkyçen dhe andaj tyre do të merren masa ligjore sipas ligjeve në fuqi ku vjedhja e ujit është vepër penale dhe dënohet me burgim deri në 3 vite”, tha Behluli. /Gazeta Enigma/