Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka reaguar ndaj deklaratës rreth historisë së Betejës së Kosovës të ish-ambasadores së Kosovës në këtë vend, Vlora Çitaku.
Sipas Gjuriqit, deklaratat e Çitakut se kjo betejë nuk ishte e Serbisë, por e shteteve të Ballkanit kundër pushtuesit osman, janë të turpshme.
Ai tha se falsifikimi i historisë mund të helmojë brezat e ardhshëm me urrejtje.
“Kjo është thjesht e turpshme. A nuk mund të na lini as ditën tonë kombëtare në paqe? Faleminderit që i treguat botës se ajo për të cilën ju qëndroni me të vërtetë është intoleranca dhe urrejtja etnike fisnore. P.S. Falsifikimi i historisë nuk do të ndihmojë kauzën tuaj, ai vetëm mund të helmojë brezat e ardhshëm me urrejtje”.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i ka reaguar ish-emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ku i uronte serbët për Vidovdan.
Çitaku në reagimin e saj i ka sqaruar Genellit se Beteja e Kosovës nuk ishte e serbëve dhe në të mori pjesë ushtria Ballkanase kundër Perandorisë Osmane.
“Nuk ishte betejë e serbëve; ishte ushtria e Ballkanit që luftoi kundër pushtuesit Osman. Kjo betejë u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb që nga shekulli i 19-të duke na mbajtur të gjithëve peng”.
Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, gjatë ditës së djeshme ka shkruar për festën e serbëve, Vidovdanin, duke thënë se duhet të nderohet “heronjtë serbë” dhe princi i shenjtë Llazar.