Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka kontaktuar me autoritetet dhe ka ndërmarrë veprime në drejtim të mbrojtjes së qytetarit malazes, i arrestuar më 28 qershor në Gazimestan.
Në Gazimestan, që gjendet rreth 15 kilometra larg Prishtinës rreth 1,000 serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit, u mblodhën për të shënuar Vidovdanin.
Më herët, policia e Kosovës njoftoi se gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, një person, shtetas i Malit të Zi, u ndalua nën dyshimin se kishte kryer krimin e shkaktimit të përçarjes dhe intolerancës dhe se të njëjtit, pas intervistimit, i është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.
“Të gjitha veprimet që lidhen me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin”, thuhet në njoftimin e policisë.Reklamë
Fronti Demokratik, partia pro-serbe që udhëheq me qeverinë në Mal të Zi i kërkoi qeverisë malazeze të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Risto Jovanoviqit.
Shënimi i Vidovdanit filloi të hënën në mëngjes me një liturgji në Manastirin e Graçanicës, të cilin e udhëhoqi patriarku serb, Porfirije.
Pas kësaj, u mbajt edhe një shërbim përkujtimor në Gazimestan, për të kujtuar viktimat e betejës në Kosovë.
Kjo është hera e parë që patriarku Porfirije udhëhoqi shërbimin përkujtimor në Gazimestan, që kur ai u zgjodh në postin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe.
Gjatë kësaj shërbese, ai iu drejtua shkurtimisht të pranishmëve, ku bëri thirrje për bashkim dhe përsëriti qëndrimin se “shenjtërit serbë” në Kosovë, duhet të mbrohen.
Ai të njëjtat qëndrime i shprehu edhe pas liturgjisë së mbajtur në Graçanicë, ku theksoi se diversiteti është një dhuratë dhe se nuk duhet të shkaktojë konflikte.
Patriarku serb shtoi se “ne i shohim shqiptarët si vëllezërit tanë” dhe tha se ai është i sigurt se “ne jo vetëm që mund ta kuptojmë njëri-tjetrin, por mund të jetojmë së bashku, të rritemi dhe të ndërtojmë”.
Të pranishmit në Gazimestan, gjatë ditës, kënduan këngë patriotike kurse Policia e Kosovës, që po zbaton një plan të veçantë operativ për festimin e Vidovdanit, arrestoi një person, por, nuk dha detaje lidhur me arrestimin.
Ndërkaq, Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe udhëheqësit e Listës Serbe, që është partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, po ashtu morën pjesë në liturgjinë në Manastirin e Graçanicës.
Çdo vit në Gazimestan, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, më 28 qershor, festojnë Vidovdanin, për të kujtuar vuajtjet e serbëve në betejën në Kosovë më 1389, kundër ushtrisë turke.
Ishte pikërisht 28 qershori i vitit 1989, kur në Gazimestan, ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, mbajti një fjalim para dhjetëra-mijëra serbëve, ku deklaroi se nuk përjashton “beteja të armatosura”.