Drejtori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Drejtori Menaxhues i Fondit të Kursimeve Pensionale, Ardian Zalli, paguhen më shumë sesa Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Të hyrat vjetore të Mehmetit, i cili udhëheq me BQK’në, sillen rreth 52 mijë e 500 euro. Nëse ndahet kjo shifër në 12 pjesë, i bie që paga mujore e tij është diku rreth 4 mijë e 300 euro.
Mehmeti është në krye të këtij institucioni që nga viti 2018.
Pagë pothuajse sa të Mehmetit, ka edhe Drejtori Menaxhues i Fondit të Kursimeve Pensionale, Ardian Zalli.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë së publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Zalli ka deklaruar se të hyrat e tij vjetore nga Trusti(paga dhe mëditje) kapin shifrën e gati 50 mijë eurove.
Nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë, i bie se Zalli për një muaj i merr diku 4 mijë euro.
Me pagë, Zallit i afrohet vetëm kryeparlamentari Glauk Konjufca. Paga mujore që ka deklaruar Konjufca është 3 mijë e 95 euro.
Më pak se Zalli paguhet edhe kryeministri Albin Kurti. Kurti ka deklaruar pagë mujore në vlerë 1 mijë e 305 euro.
Ndryshe, Zalli për vite me radhë ka qenë zyrtari më i paguar në vend. Ai ka marr pagë mujore rreth 5,000 euro.
Por, për të ulur pagën e Zallit, kishte marr iniciativë Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa./Gazeta Enigma.