Kurti: Masakra e Srebrenicës ishte paralajmërim i gjenocidit në Kosovë

Kurti: Masakra e Srebrenicës ishte paralajmërim i gjenocidit në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, masakrën e Srebrenicës e ka cilësuar si paralajmërim të projektit gjenocidal serb në Kosovë.

“Çdo përvjetor është dhimbje që ripërtërihet jo vetëm për popullin boshnjak por edhe për ne popullin e Kosovës, që 25 vjet më parë kemi përjetuar tmerrin e luftës. Masakra në Srebrenicë krahas së qeni dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Bosnje e Hercegovinë, ishte edhe paralajmërim i projektit gjenocidal të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë përkujtimore të Srebrenicës, e cila u mbajt në Institutin e Historisë në Prishtinë.

Ai ka thënë se kjo masakër ka lënë plagë të hapura në ndërgjegjen e njerëzimit, teksa ka thënë se regjimin e Millosheviqit e ka përjetuar edhe Kosova. Njësoj si në Bosnje e Hercegovinë, Kurti ka thënë se edhe në vendin tonë ka familje të cilët ende e ndjejnë dhimbjen e luftës, duke përmendur masakrën e familjes Bogujevci, ku mbetën të vrarë 14 anëtarë të familjes, ndërkaq nënkryetarja e tanishme e Kuvendit, Saranda Bogujevci i mbijetoi masakrës.

“Serbia nuk u mbajt përgjegjëse asnjëherë. Derisa familjet kërkojnë ende eshtrat e të dashurve të tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje ose madje të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale…Teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e luftës, pasardhësit politik të Millosheviqit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste ndaj Bosnje e Hercegovinës e ndaj Kosovës”, ka deklaruar kryeministri.

Zëvendëskryeministrja nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilja Rexhepi, ka thënë se gjenocidi ndaj popullit boshnjak ka ndodhur sepse Serbisë nuk i ka pëlqyer përkatësia e tyre kombëtare ose fetare.

“Srebrenica është bërë simbol i dhimbjes njerëzore. Jetët e pafajshme janë shuar dhe kanë lënë zbrazëti të cilat asnjëherë nuk mund të plotësohen. Fëmijët kanë mbetur pa baballarët e tyre, nënat kanë humbur djemtë, bashkëshortet kanë mbetur pa bashkëshortët. I tërë komuniteti ka qenë i thyer”, ka thënë ajo.

Related Articles