Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur mbi procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila ka deklaruar se pa pasur një akt nga qeveria për Asociacionin nuk mund që ta çojë ajo vet në Kushtetuese, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vet aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e Qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht. Kështu kanë qenë praktikat pas vitit 2018 e tutje”, deklaroi ajo.
“Mirëpo duhet ta them qartë – që krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Tutje e para e vendit ka shtuar se Kosova do të duhej të ishte e gatshme të ecë para, nëse partnerët tanë na ofrojnë siguri për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen. Prapë, siç e kam thënë edhe në intervista paraprake, mendoj që Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje”, ka dekalruar ajo.
Tutje Osmani ka shtuar se “deri tani kanë qenë më shumë ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta. Përfundojeni ju fillimisht e pastaj bisedojmë.’ Mendoj që ka ardhur koha që ne të kemi një plan të përbashkët me aleatët tanë dhe kur them me aleatët këtu duhet roli drejtues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse siç dëshmon historia jonë, vetëm atëherë në rajonin tonë ka pasur sukses që çon drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme dhe afatgjatë”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Komisionit për Legjislacion nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili theksoi se draft-statuti evropian nuk është dokument zyrtar.
“Ai është një dokument punë, nuk është një dokument zyrtar. Si përgjegjësi dhe autorizim i takon institucioneve të Kosovës. Ne kemi pasur vërejtje kapitale për këtë draft”, deklaroi ai.
Rrustemi vlerëson se qëndrimi i Qeverisë është i drejtë dhe parimor në interes për Kosovën, ku presioni ndërkombëtar është prezentë në tri vitet e fundit prat ë qeverisjej nga Kurti.
“Këto presione në formë të kërkesave kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës së qeverisjes tre vjeçare të qeverisjes. Por, argumentet tona kanë qenë të fuqishme përballë qasjes si të veçante të pikës së shtatë ku flitet për asociacionin”, tha Rrustemi për Gazetën “Enigma”.
Ndëkrohë, ish-gjykatësi i gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, e ka quajtur shkelje ligjore dhe kushtetuese nga ana e Qeverisë mos dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese sepse Asociacioni është obligim ligjor nga marrëveshja e vitit 2013-2015 e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
“Asociacioni ka kaluar në Parlament që është shndërruar në ligj. Kemi edhe një vendim të gjykatës kushtetuese për asociacionin e cila konsiderohet si ligj bazikë dhe në bazë të saj dhe të marrëveshjes së vitit 2013 duhet të themelohet Asociacioni”, tha Kryeziu.
Çka parasheh draft-statuti për Asociacionin?
Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe, kanë publikuar versionin e draftstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas këtij draftstatuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draftstatut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.
“Statuti do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit/Bashkësisë i formuar nga anëtarët me votim të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë fuqinë e një rregulloreje të Qeverisë sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”.
Ky draftstatut thekson se Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës. Më tutje theksohet se Asociacioni/Bashkësia do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale. /Gazeta Enigma/