Në 29-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, sot në Kuvendin e Kosovës është miratuar një Deklaratë për Mbështetjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, të datës 23 maj 2024.
Kryeministri Albin Kurti përmes një reagimi në Facebook ka deklaruar se Kosova vlerëson lartë miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në OKB.
“Përmes kësaj deklarate, shteti ynë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, duke riafirmuar kundërshtimin e Republikës së Kosovës ndaj mosndëshkimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës ose shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe për të kërkuar paqen e qëndrueshme, drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin, e vlerëson lartë miratimin e Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.
Kurti thotë se me anë të kësaj deklarate në Kuvendin e Kosovës, Republika e Kosovës solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen.
“Për këto arsye dhe të tjera që rrjedhin prej tyre, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, për çka angazhohet për organizimin e aktiviteteve të ndryshme përkujtuese dhe në nderim të viktimave”.
Kryeministri thotë se populli i Kosovës ka qene viktimë e të njëjtave kategori të krimeve sikurse ai i Bosnjës.
“Shoqëria dhe shteti i Kosovës as nuk harron dhe as nuk falë krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-’99”. Në përkujtim të viktimave të gjenocidit, për drejtësi, për të vërtetën dhe për historinë”, ka shkruar Kurti.