Serbia nuk i përgjigjet Kosovës për rastin e Faton Hajrizit, MPJD flet me familjen dhe ankohet te vendet e QUINT-it

Serbia nuk i përgjigjet Kosovës për rastin e Faton Hajrizit, MPJD flet me familjen dhe ankohet te vendet e QUINT-it

Kosova po pret përgjigje për konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi dhe lehtësimin e procedurave për kthimin e trupit të pajetë, pasi autoritetet serbe deklaruan të premten për një person të vrarë në Loznicë, e i cili dyshohet të jetë kosovari, Faton Hajrizi.

Hajrizi ishte arratisur nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik dhe vendondodhja e tij mbeti e enigmë deri të enjten, kur u tha se ishte i dyshuar për vrasjen e një polici në qytetin perëndimor të shtetit serb.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje për Klankosova.tv tha se ende s’kanë marrë përgjigje nga autoritetet serbe, ndërsa për këtë është ankuar edhe tek ambasadorët e vendeve të QUINT-it, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi.

MPJD thekson se ka komunikuar edhe me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ashtu siç ju kemi njoftuar dhe me parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi. Nëpërmjet të njëjtës kërkesë zyrtare është kërkuar edhe lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Republikën e Kosovës dhe dorëzimi i tij tek familjarët. Megjithëkëtë, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Klankosova.tv

“Zyra Ndërlidhës e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi nëpërmjet së cilës është theksuar fakti se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë ende nuk është kthyer asnjë përgjigje”.

Kujtojmë se Faton Hajrizi, u arratis më 6 korrik nga Burgu i Smrekonicë ku kishte qëndruar muajve të fundit.

Related Articles