Vendimi i Këshillit të BE-së që të lejohet qarkullimi pa viza për qytetarët me pasaporta të jashtëligjshme serbe, ka nxitur reagimin e presidentes Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se Republika e Kosovës nuk merr asnjë përgjegjësi për shkeljet që bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund të bëjnë në zonën Schengen.
“Legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të paverifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”.
“Për më tepër, vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit. Kosova për këtë vendim nuk është konsultuar fare, megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm”.
“E drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës si dhe përpjekjeve e angazhimit tonë për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës”, ka thënë Osmani.