Bordi i RTK-së ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me trajtimin e një raportimi që ka ndodhur mbrëmë në Radio Televizionin e Kosovës, ku është publikuar një raportim i një media nga Bosnja e Hercegovina, “Slobodona Bosna”.
Në njoftimin për media të Bordit të RTK-së, të nënshkruar nga u.d. drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, u tha se në takim kanë qenë u.d drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, drejtori i kanaleve në gjuhën shqipe, u.d kryeredaktorja e RTK-së, udhëheqësja e Mediave Online të RTK-së dhe stafi përgjegjës editorial.
Bordi i RTK-së tha se e ka shqyrtuar me seriozitet publikimin e artikullit “kontrovers” të hënën më 22 korrik 2024 në RTK, të marrë nga një medium boshnjak.
Anëtarët e Bordit, thuhet në njoftim, kanë shprehur shqetësimin e tyre “mbi këtë lëshim të qartë dhe kanë kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti”.
Bordi më tutje ka shprehur “keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendur ato”.
“Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.
Më tej theksohet se u.d drejtoresha e përgjithshme e RTK-së ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të marrë masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së, Zana Spahiu.
Artikulli i “Slobodna Bosna”, i transmetuar në RTK ditën e djeshme (në edicionin qendror të lajmeve dhe në portalin RTKlive.com) ka pretenduar se dy media të Kosovës, “Periskopi” dhe “Nacionale”, janë të financuara nga struktura të Serbisë.