Dërgohen në IML për identifikim eshtrat e gjetura në Podujevë, që dyshohet të jenë nga lufta e fundit

Dërgohen në IML për identifikim eshtrat e gjetura në Podujevë, që dyshohet të jenë nga lufta e fundit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e gjetjes së eshtrave të një njeriu në Podujevë, e që dyshohet të jenë nga lufta e fundit.

Gjetjet eshtërore janë tërhequr nga zyrtarët e Instituti të Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për obduksion dhe identifikim.

“Podujevë Viti 1999. Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Instittin e Mjekësisë Ligjore, kanë realizuar urdhëresën për ekshumim në një lokacion në komunën e Podujevës, ku janë hasur gjetje eshtërore që besohet se janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit”, thuhet në raportin e policisë.

Është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila dje njoftoi se janë gjetur mbetje mortore në varrezat afër Tjegullores në Podujevë.

Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se mbetjet dyshohet se i përkasin një individi që mund të jetë në listën e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit.

Sipas saj, gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë.

“Sot (dje), në varrezat afër Tjegullores në Podujevë, ekipet mjeko ligjore nga IML, me mbështetje nga EULEX, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KQPZH, kanë arritur të lokalizojnë mbetjet mortore të një individi që dyshohet të jetë nga lista e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë”, shkroi Haxhiu.

Related Articles