“Pasivizimi i adresave të shqiptarëve hap i Serbisë për shpopullimin tonë”

“Pasivizimi i adresave të shqiptarëve hap i Serbisë për shpopullimin tonë”

Deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur për protestën e sotme të mbajtur në Preshevë kudër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Ai tha se qëllimi i kësaj proteste është që Beogradi zyrtar të detyrohet të zbatojë marrëveshjet e arritura më parë, të nënshkruara nga vet ata.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, tha se ka pasur një plan i hartuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, bashkë me OSBE-në ku parashihej afatizimi i integrimit të shqiptarëve të Luginës, duke shtuar se kaluan disa vite dhe ende nuk është zbatuar ai plan.

“Më 2022, Këshilli Kombëtar Shqiptar kishte nisur një nismë bashkë me OSBE-në për të hartuar një plan aksionar, në të cilin përcaktohen datat dhe afatet e integrimit të shqiptarëve të Luginës dhe, ja, tani jemi në vitin 2024 dhe akoma ia plan nuk ka filluar”, deklaroi Kamberi për RTK.

Ai më tej theksoi se kjo protestë qytetare ka për qëllim që, krahas angazhimit tonë politik e institucional, të përdoret edhe ky mekanizëm në mënyrë që Beogradi zyrtar të obligohet të përmbushë detyrimet e veta.

Kamberi, mes tjerash, ka folur edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të asaj ane që, sipas tij, ky është një mekanizëm i Serbisë për shpopullimin e shqiptarëve nga ato vise të banuar me shqiptarë, derisa përmendi një varg pikash të marrëveshjeve me shtetin serb, të cilat ende nuk janë përmbushur, ndër të tjera mosnjohja e diplomave.

Related Articles