Policia e Kosovës ka miratuar rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës për suspendimin e Komandantit të Policisë në Skenderaj, pasi që ky fundit bashkë me disa zyrtarë të tjerë policorë shkuan për ngushëllime tek familja e Faton Hajrizit.
Rekomandimi u bë dje.
“IPK ka pranuar informatat e para për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe dyshohet se togeri policor së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e një personi i cili para disa jave kishte ikur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim për disa vepra penale, (dhe së fundi i njëjti është vrarë në territorin e Republikës së Serbisë nga policia atje)”, thuhej në njoftimin e IPK-së.
“Me këto veprime dyshohet se togeri policor dhe vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -“Sjellje e rëndë diskredituese” e paraparë me aktet nënligjore të Policisë së Kosovës.
Faton Hajrizi u vra nga forcat serbe, pasi ky vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër. /Gazeta Enigma