Ndonëse afati për dorëzimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfundon të premten, asnjë nga partitë politike nuk kanë deklaruar një të tillë në këtë institucion, shkruan Gazeta Enigma.
Kështu ka njoftuar për Gazetën Enigma, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili thekson se secili subjekt politik që s’ka deklaruar koalicion deri më këtë datë do të obligohet të garojë i vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet në shkurt të viti 2025 përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politike si duna të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyre. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 gusht pra deri ne këtë kohë të gjitha partitë politike duhet të njoftojnë KQZ-në se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrin pjesë përmes koalicionit”, ka thënë Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar se deri të hënën, nuk kanë pranuar asnjë koalicion.
“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër, pra të partive të tjera apo edhe si parti e veçanta në procesin zgjedhor. Deri në këto momente që flasim në KQZ nuk kemi pranuar ndonjë njoftim nga ana e partive politike se do të kërkojnë certifikim në zgjedhje përmes koalicionit. Afati i fundit për të bërë këtë deklarimi është data 30 gusht”, ka thënë ai. / Gazeta Enigma/