Policia e Kosovës po zhvillon operacion në katër komunat në veri të vendit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, shkruan Enigma.
Në njoftim thuhet se qëllimi i operacionit policor është “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues.”
Aksioni ka filluar në orën 17:00 dhe po vazhdon ende.
“Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, është duke zhvilluar një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës. Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues. Operacioni policor është duke vazhduar, ndërsa për informacione shtesë do të informoheni pas përfundimit të operacionit”, thuhet në njoftim.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dhënë detaje rreth aksionit të Policisë në katër komunat në veri të vendit, ku ka deklaruar se janë mbyllur pesë institucione paralele ilegale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.