Administrata Tatimore e Kosovës, i ka mbledhur 62.9 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin paraprak, në periudhën janar – gusht, shkruan Enigma.
Përmes një postimi nga faqja e tyre zyrtare, thuhet se totali i të hyrave të inkasuara ka arritur në 642 milionë euro tatime, duke shënuar kështu rritje të qëndrueshme për buxhetin e shtetit.
“62.9 milionë euro tatime të mbledhura më shumë Të hyrat tatimore për periudhën janar-gusht 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të hyrat për këtë periudhë janë rritur për 62.9 milionë euro, duke reflektuar pozitivisht në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e performancës dhe zbatimin e reformave strategjike. Totali i të hyrave të inkasuara ka arritur në 642.0 milionë euro tatime, duke shënuar kështu rritje të qëndrueshme për buxhetin e shtetit. Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të rëndësishme që kanë për qëllim përmirësimin e efektivitetit dhe rritjen e transparencës”, thuhet në postimin e ATK-së.
Tutje, ATK ka treguar disa nga reformat të cilat kanë ndihmuar në ngritjen e performancës.
“Ndikimi i reformave të ndërmarra përfshinë digjitalizimin e proceseve të punës, trajtimin e borxheve tatimore, krijimin e kanaleve për raportim të rasteve korruptive, luftimin e evazionit tatimor, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia janë disa nga reformat të cilat kanë ndihmuar në ngritjen e performances”, kanë shkruar tutje.
Në përfundim, thuhet se ATK mbetet e përkushtuar në forcimin e përmbushjes vullnetare dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mbledhjes së të hyrave.