Kryeministri Albin Kurti, ka mirëpritur në takim një delegacion nga Zvicra që udhëhiqej nga ish-ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.
Gjatë këtij takimi u diskutuan tema të ndryshme, me interes për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Urat e bashkëpunimit mes nesh si shtete por edhe si shoqëri, të cilat kultivohen e thellohen edhe më tej përmes diasporës sonë në Zvicër, u vlerësuan lart nga kryeministri dhe personalitetet e pranishme në takim të cilët mbulojnë fusha të ndryshme, si mjekësia, komunikimi dhe arkitektura. Kryeministri theksoi se diaspora kosovare në Zvicër ka një ndikim të madh, jo vetëm për numrin e saj të madh, por edhe për remitancat, ku mbi 20% e remitancave që vijnë në Kosovë janë nga Zvicra”, thuhet në komunikatë, njofton Gazeta Enigma.
Kryeministri vuri në pah rolin e rëndësishëm të Zvicrës si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe që vazhdon të kontribuojë përmes programeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC).
Ai nënvizoi rëndësinë e sistemit të arsimit dual, ku Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e arsimit me tregun e punës, duke ndihmuar në përgatitjen e fuqisë punëtore të re.
Në komunikatë tutje thuhet se Kurti i falënderoi pjesëmarrësit për interesin e tyre për ta njohur më thellë e më mirë vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu mirënjohje për bisedën e hapur dhe plot shkëmbime të dijes të zhvilluar ditën e sotme. /Gazeta Enigma