Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, institucion ky i cili hodhi poshtë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani.
Kjo e fundit kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në KQZ bazuar në grupet më të mëdha parlamentare në Kuvend.
Sipas një komunikate të lëshuar për medie, PDK konsideron se Kushtetuesja ka vërtetuar me këtë vendim, të drejtën kushtetuese të Partisë Demokratike të Kosovës për të pasur edhe përfaqësuesin e dytë në KQZ.
“Hedhja poshtë e kërkesës së Presidentes Osmani për gjoja interpretim nga Gjykata Kushtetuese, në një çështje që ishte plotësisht ligjore dhe kushtetuese, flet për anshmërinë politike që ka marrë Presidentja e vendit në përpjekje për të dëmtuar partitë opozitare. Veprimi i saj i fundit për të mos emëruar përfaqësuesin e PDK-së dhe të një anëtari të subjektit politik VAKAT, ishte vetëm në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje për t’ia dhënë asaj anëtarin e tretë që ishte paraparë të emërohej një bashkëpartiake e Presidentes Osmani”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK i ka bërë thirrje Osmanit që t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës duke emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ.
“Në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës është saktësuar qartë se si bëhet emërimi i anëtarëve nga radhët e grupeve parlamentare shqiptare. “Gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në Kushtetutë. Sjellja e anshme politike e Presidentes Osmani po e rrezikon demokracinë, pluralizimin politik dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. PDK ka shprehur shqetësimin me kohë se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë t’ia mohojnë një të drejtë kushtetuese PDK-së, si partia e dytë më e madhe politike në vend”, thuhet tutje në reagim.