Artan Murati, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, i ka konsideruar absurde deklaratat se kjo e fundit po iu shërben interesave të caktuara partiake përmes kërkesës së parashtruar ndaj Gjykatës Kushtetuese për ndarjen e vendeve në KQZ në bazë të grupeve më të mëdha parlamentare, raporton Gazeta “Enigma”.
Murati këto komente i ka bërë me anë të një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, teksa e ka komentuar edhe vendimin për hedhjen poshtë nga Gjykata Kushtetuese kërkesën e Osmanit për ulëset në KQZ.
“Ajo çfarë të paktën sqarohet nga ky Aktvendim, është se Gjykata trajton vetëm kërkesat për kompetenca të cilat burojnë nga Kushtetuta e jo edhe ato të bazuara në ligj. Pra që emërimet e shkarkimet e parapara vetëm në ligj, e jo në kushtetutë, nuk janë çështje që trajtohen nga gjykata. Në pritje të publikimit të Aktvendimit të plotë, për ta analizuar në tërësi”, thuhet ndër të tjera.
“Ndërkaq, deklaratat se kinse kjo kërkesë e Presidentes drejtuar gjykatës për interpretim të kompetencave qenka shërbim ndaj partive të caktuara, janë absurditete të pabazuara të cilave nuk ka njeri racional në Kosovë që ju beson. Për më tepër, kjo po tregon degradimin e skajshëm të gjuhës krejt pa argument, edhe pse Presidentja ka vepruar me ndërgjegje të lartë institucionale kur i është adresuar Gjykatës para se të ndërmarrë veprime”, deklaron tutje ai.
Postimi i plotë i Artan Muratit:
Praktika e Gjykatës Kushtetuese për mos-trajtim të çështjeve Kushtetuese të ngritura nga ana e kreut të shtetit, të përcaktuar sipas nenit 84(9) të Kushtetutës, nuk po e merr parasysh interesin publik për çështjet të cilat ngriten për interpretim para Gjykatës. Përmes kësaj dispozite, ish-Presidentja Jahjaga kishte dërguar në Kushtetuese çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe. E dini të gjithë vlerën publike të interpretimit të Gjykatës për atë rast. Imagjinoni si do të mund të rrjedhnin gjërat sikur gjykata të refuzonte të jepte interpretimin për Asociacionin, pra sikur ta përdorte praktikën që po përdoret së fundmi ku refuzohen të gjitha çështjet e ngritura nga kreu i shtetit bazuar në dispozitën e lartcekur.
Është e domosdoshme që për aq sa është e mundur, të parandalohen paqartësitë kushtetuese, duke ofruar zgjidhje për problemet e shfaqura. Në këtë mënyrë do të garantohej parimi i sigurisë juridike, dhe mundësitë për shkelje të autorizimeve kushtetuese (për shkak të interpretimeve të ndryshme) nga ana e institucioneve do të ishin shumë më të vogla.
Ajo çfarë të paktën sqarohet nga ky Aktvendim, është se Gjykata trajton vetëm kërkesat për kompetenca të cilat burojnë nga Kushtetuta e jo edhe ato të bazuara në ligj. Pra që emërimet e shkarkimet e parapara vetëm në ligj, e jo në kushtetutë, nuk janë çështje që trajtohen nga gjykata. Në pritje të publikimit të Aktvendimit të plotë, për ta analizuar në tërësi.
Ndërkaq, deklaratat se kinse kjo kërkesë e Presidentes drejtuar gjykatës për interpretim të kompetencave qenka shërbim ndaj partive të caktuara, janë absurditete të pabazuara të cilave nuk ka njeri racional në Kosovë që ju beson. Për më tepër, kjo po tregon degradimin e skajshëm të gjuhës krejt pa argument, edhe pse Presidentja ka vepruar me ndërgjegje të lartë institucionale kur i është adresuar Gjykatës para se të ndërmarrë veprime.