Gjatë ditës në Bruksel, emisiari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka zhvilluar takime të ndara me ekipin kosovar të kryesuar nga kryenegociatori Besnik Bislimi si dhe me palën serbe ë kryesuar nga Petar Petkoviq.
E një takim trepalësh nuk ndodhi.
E kjo nuk u realizua pasi sipas Besnik Bislimit, pala serbe e refuzoi një të tillë duke paraqitur tema jashtë agjendës së përcaktuar nga Lajçaku.
Një deklaratë të tillë për shtim të temave e konfirmoi edhe vetë Petkoviqi.
Megjithatë, ai tha se ishte homologu i tij nga Kosova ai që ka refuzuar takimin trepalësh.
Petkoviqi ka deklaruar se shkak i refuzimit, sipas tij, është diskutimi i temave si themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shërbimet postare dhe çështjen e zbatimit të marrëveshjes.
“Takimi trepalësh i drejtpërdrejtë me palën prishtinase nuk u zhvillua sepse Bislimi refuzoi të takohej me përfaqësuesit e Beogradit, sepse insistuam në tema si AKS-ja, shërbimet dhe zbatimi i marrëveshjeve”, tha Petkoviq për gazetarët, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Enigma.
Ndërkaq, Bislimi sot gjatë ditës tha se takimi trepalësh u refuzua nga pala serbe, duke thënë se Kosova ka pranuar të mbajë një takim të tillë.
“Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”, ka pohuar Bislimi, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës. /Gazeta Enigma