Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ka pritur në takim presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq tha se me kardinalin Parolin diskutoi për Kosovën, duke u shprehur gjithashtu i lumtur që Vatikani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“E vlerësojmë lart qëndrimin parimor të Selisë së Shenjtë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëkuptimin për qëndrimin e Serbisë, i cili bazohet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, shkroi Vuçiq.
“Për Serbinë është me rëndësi çështja e mbrojtjes, respektimit dhe përmirësimi i të drejtave të serbëve dhe pakicave të tjera joshqiptare në Kosovë”, shtoi ai.