Në muajt e fundit, Policia e Kosovës ka intensifikuar aksionet për konfiskimin e armëve ilegale, veçanërisht gjatë periudhës janar-shtator 2024, shkruan Gazeta “Enigma”.
Vetëm në shtatë mujorin e pare të vitit 2024 Policia e Kosovës ka konfiskuar 814 armë të ndryshme.
Ndërsa për periudhën e njëjtë të vitit 2023 Polica ka konfiskuar 636 armë të ndryshme.
Në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Gazetën “Enigma” thuhet se gjatë vitit 2023 janë konfiskuar 1392 armë të ndryshme.
“Gjatë periudhës janar – korrik 2023, janë konfiskuar 636 armë të ndryshme; Gjatë periudhës janar- korrik 2024, janë konfiskuar 814 armë të ndryshme; Gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1392armë të ndryshme dhe gjatë vitit 2022, janë konfiskuar 1473 armë të ndryshme”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovբs për Gazetën “Enigma”.
Këto aksione janë pjesë e fushatave të vazhdueshme për të luftuar armëmbajtjen pa leje, që mbetet një problem i madh në vend.
Policia ka ndërmarrë operacione si “Goditja”, duke kontrolluar automjete dhe gjetur armë në një përqindje të lartë, veçanërisht në zonat urbane.
Sipas të dhënave, në tri vitet e fundit janë konfiskuar gjithsej mbi 3,600 armë ilegale, ndërsa vlerësohet se rreth 230,000 armë pa leje janë ende në qarkullim.
Këto statistika tregojnë një përpjekje të dukshme për të adresuar sigurinë publike dhe për të parandaluar krimet që lidhen me armët e paligjshme.
Sa rrezikohet siguria publike në vend nga krimet që lidhen me përdorimin e armëve pa leje?
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma” eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se armët ilegale që gjenden në duart e qytetarëve janë që nga viti 1999.
“Forcat e rendit ishin të angazhuar në pjesën e sigurisë nationale dhe kjo ka reflektuar në paraqitjen e situatës së sigurisë të brishtë në pjesën e sigurisë publike përmese përdorimit të armeve ilegale që gjinden në duart e qytetarëve që nga ’99-ta por një pjesë e tyre e ardhur edhe përmes rrugëve kriminale nga vendet e ndryshme”, tha Shala.
Ai shton se MPB do të duhej të gjej një strategji të re për të nxitur qytetarët të ndërmarrin hapin e dorzimit të armeve ilegale për ofrimin dhe ngritjen e siguris pa ndjekje penale.
Tutje ai ka shtuar se “Institucionet e sigurisë më të parë një situatë të tillë i shfaqur si fenomen ka ngritur dhe dislokuar forca që përkujdesen për rendin publik në krijimin e parakushteve adekuate për jetesen e qytetarëve në ambient të sigurtë duke shtuar patrollime dhe kontrolla të caktuara në tentativ për tëminimizuar peshën rrezikun nga këto armë në duart e qyetetarëve dhe grupeve kriminale”.
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se edhe pse janë hartuar shumë ligje dhe janë në fuqi akoma nuk e kanë treguar efektin e duhur.
“Në Kosovë ka shumë armë ilegale me të cilat në shumicën e rasteve po kryhen krimet e rënda në Kosovë. Edhe pse janë hartuar dhe janë fuqi shumë politika, ligje dhe akte nënligjore me ligjin për legalizim të armëve akoma nuk kanë dhënë efektin e duhur se në posedim ilegal ka më shumë se 260000 armë me kryes të veprave penale të vrasjeve, plagosjeve dhe rrezikimit të përgjithshëm të qytetarëve”, shtoi ai.
Sipas tij është e domosdoshme që në vazhdim të bëhet legalizimi i armëve me një sistem më të avancuar të senzibilizimin e qytetarëve për me masat stimuluese dhe duke ju ofruar favore dhe procedura lehtësuese.
“Përgjegjësia për parandalim nuk është vetëm te policia por edhe te institucionet tjera shtetërore, shoqërisë civile dhe qytetarër”, tha Ibishi.
Kosova ngec në legalizimin e armëve – i referohet shifrave të 2015-s Kosova ka ngecur në legalizimin e armëve.
Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme pati filluar vlerësimin e ligjit, por ende nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces sa u takon politikave të reja të legalizimit të armëve.
Nga viti 2015 nuk ka pasur hulumtim të ri mbi numrin e armëve ilegale që janë në shtetin e Kosovës.
Draftimi i ndryshimeve ligjore për armët dhe masat ndëshkimore kanë bërë që një fushatë e nisur në vitin 2019 për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë të mos japë rezultatet e pritura.
Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme pati thënë se ka filluar vlerësimi i ligjit që ka përfshirë një grup të përbërë nga institucionet relevante. Ky grup do të dilte me politikat e reja të hartimit dhe legalizimit.
Por, ende nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces.
Në lidhje me këtë çështje Ibishi ka theksuar se qytetarët nuk janë inkurajuar nga institucionet përkatëse që të legalizojnë armët.
“Kem hile edhe na, institucionet vendore na kanë përkrah, nuk duhet me mohu atë, por vet legalizimi ka shkuar në mënyrë palidhje, pa një konsultë të duhur, pa një qasje të gjerë me qytetarët dhe sistem të shpërblim për qytetarët, siç ka ndodhë në vende të rajonit, ose vendet e ish- Jugosllavisë, pas luftërave të përgjakshme”, tha ai.
Tutje Ibishi ka shtuar se të gjithë persionat që posedojnë armë pa leje marrin dënime tepër të ulëta për këtë vepër penale.
“Kur flasim për pasojat, ajo janë minimale në kuptim me veprat, që janë gjegjësisht në nenet e kodit penal për armëmbajtje pa leje, ngase çdo herë ata dënohen me dënim minimal, dhe kjo i bënë të kenë guxim, që lirshëm ta përdorin armen, ta mbajnë me vete, dhe rreziku I përgjithshëm është I madh për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Ibishi.
Kujtojmë se dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.
Bazuar në Kodin Penal, parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burgim për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve. /Gazeta Enigma/