Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Heroi Afrim Bunjaku ra si dëshmor i ruajtjes së lirisë dhe mbrojtjes së sovranitetit me ligj, ndërsa thekson se Serbia kishte synim aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës.
Në Akademinë Përkujtimore në njëvjetorin e rënies së Heroit Afrim Bunjaku, shefi i ekzekutivit ka theksuar se nga harta e gjetura të grupit terrorist u kuptua që sulmi ishte një luftë me e gjatë dhe me gjere drejt aneksimit të një pjesë të Kosovës.
“Gjatë këtij viti populli i Kosovës dhe institucionet shtetërore e kanë shënuar 25-vjetron e çlirimit të vendit tonë nga Serbia. Gjatë gjysmës së parë të vitit pothuajse çdo ditë i kemi përkujtuar viktimat e masakrave. Kështu saktësisht një vit më parë shteti ynë u përball me sfidën më të rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008”, ka thënë Kurti.
Kurti u shpreh se nga ky sulm terrorist, u kuptua roli i Serbisë për aneksimin e një pjesë të territorit të Kosovës.
“Terroristët serb e vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosjen zyrtarit tjetër policor Alban Rashiti. Ai ra si dëshmor i ruajtjes së lirisë në vend dhe i mbrojtjes së sovranitetit me ligj. Ai u vra sepse nuk deshi që të pësonin të tjerët më të ri se ai. Nga harta e grupit terrorist u kuptua që ishte një luftë më e gjatë dhe më gjere drejt aneksimit të një pjesë të Kosovës. Nga dokumentacioni dhe aparatet teknologjike u kuptua roli i shtetit të Serbisë për aneksimin e një pjesë të territorit të Kosovës. Serbia duhet të përgjigjet sepse është përgjegjëse për sulmin në Banjskë. Serbia është shtet paramilitar, ne jemi Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla, ka thënë se 24 shtatori është një datë e re që i është shtuar kalendarit të historisë së Kosovës “e cila është me plotë krenari dhe dhimbje”.
Ai shtoi se sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe rënia e Heroit Afrim Bunjaku ishin kthesë që ndryshuan rrethanat në Kosovë e më gjerë.
“Ka shumë data në kalendarin tonë të historisë, ato janë përplot krenari edhe dhimbje njëkohësisht. 24 shtatori është data më e re e shënuar në kalendarin tonë, ajo tregon për aktin heroik të rreshterit Afrim Bunjaku, por mbi të gjitha ajo shënon një fitore historike. Sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe rënia e Heroit Afrim Bunjaku ishin kthesë që ndryshuan rrethanat në Kosovë, rajon dhe me gjerë. Ky sulm shpërfaqi plotësisht Serbinë që nuk ka ndryshuar asgjë në natyrën e asaj agresive ndaj shteteve fqinje. Regjimi në Beograd provoi dhe dështoi, regjimi në Beograd nëse provon serish do të dështojë. Mbrojtja jonë me vendosmëri e sovraniteti territorial dëshmon që jemi jo vetëm republikë e drejtësisë por edhe republikë e aftësisë dhe guximit. Këto janë virtyte që i duhen institucioneve të shteteve, këto virtyte i mban Policia e Kosovës”, u shpreh Sceçla.